Lajme

Haradinaj thotë se nuk do të qëndrojnë duarkryq kur janë në pyetje interesat e vendit

Përkundër zhgënjimit me Qeverinë e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë është e gatshme të ndihmojë Kosovën dhe asnjëherë nuk do të qëndrojë duarkryq kur janë në pyetje interesat nacionale.

Kështu ka deklaruar, kryetari AAK-së, Ramush Haradinaj në një takim me qytetarë në komunën e Fushë Kosovës.

I pari i aleancës thotë se ia ka vendosë si qëllim vetes të vizitoj të gjitha komunat e Kosovës.

“Në Fushë Kosovë ku bashkohen qytetarët e mbarë Kosovës dhe Luginës, sqarova se i kam vënë vetes obligim që të vizitoj të gjitha komunat e vendit për bashkëbisedim me qytetarët, obligim ky që del nga fakti se kam qenë pjesë e Çlirimit dhe shtetndërtimit të vendit, pjesë e politikës dhe institucioneve”, shkruan Haradinaj.

Kurse sa i përket qeverisjes në vend, Haradinaj thotë se krizat vetëm po thellohen.

“Sa i përket qeverisjes në vend, shpreha shqetësimin tim se vendi po shkon prapa, krizat ekonomike dhe energjetike, vetëm se po thellohen”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Kujtojmë se javë më parë, në ftesën e kryeministrit Kurti për takim me krerët e partive opozitare, ishte i vetmi Haradinaj që ishte përgjigjur pozitivisht ftesës për takim.

Pas takimit, ai kishte thënë se pavarësisht mospajtimeve të brendshme, ai dhe partia e tij janë të gatshëm që të tregojnë unitet kur vihet në pikëpytje interesi nacional i shtetit.

/Shqip.com