Haradinaj: S’ka Minishengen pa njohjen reciproke Kosovë-Serbi
Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se unioni ekonomik ndërmjet shteteve të rajonit i njohur si “Minishengeni Ballkanik” nuk mund të ekzistojë përderisa Serbia vazhdon të mos e njeh Kosovën si shtet të pavarur, transmeton SHQIP.
Ai ka thënë së kur ndodh njohja nga Serbia hiqen pengesat për Minishengenin.
“Kur ndodh njohja hiqen pengesat edhe për Minishengen. Përderisa Serbia nuk na ka njohur është një situatë e padrejtë. Kosova është në opozitë të pabarabartë në krahasim me vendet e tjera të rajonit, rradha e punëve duhet të jetë njohja e Kosovës dhe më pas Minishengen”, tha Haradinaj në Ora News.
Haradinaj ka thënë se duhet të ftohet Amerika në dialog, dhe nuk duhet të vazhdojë pa prezencën e saj.
Ai më tej, tha së dy përfaqësuesit vinë nga vendet që nuk e kanë njohur Kosovën, ndërsa SHBA-ja nuk shpreh dilema për pavarësinë e Kosovës.
“Ne duhet ta ftojmë Amerikën në tavolinë që tani në dialog, të mos ecim përpara në dialog pa Amerikën. BE nuk është unike, ata janë heterogjenë. Kemi 5 vende që ende nuk e kanë njohur Kosovën . Dy përfaqësuesit e lartë të BE që u është besuar çështja e dialogut, vijnë nga vende që nuk e njohin Kosovën. Borell nga Spanja, Lajçak nga Sllovakia. SHBA nuk ka shprehur dilema për sovranitetin e Kosovës. Kemi interes ta kemi SHBA në tavolinë me ne. Biden, që unë personalisht e njoh, është i interesuar për çështjet e Ballkanit, e njeh çështjen shqiptare, ka qenë e familjarizuar dhe ju siguroj që është kohë ideale për të kërkuar ndihmën e SHBA”, shtoi ish-kryeministri Haradinaj./SHQIP.com