Lajme

Haradinaj: Shteti nuk mbahet me ‘vitra’

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ju është drejtuar Qeverisë së Kosovës duke ju thënë se shteti nuk mbahet me lëmoshë.

Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj ka thënë se jetesa në Kosovë është e papërballueshme.

“Shteti nuk mbahet me “vitra”. Jetesa në Kosovë po bëhet e papërballueshme, si pasojë e rritjes pa kontroll të çmimeve, e Kryeministri në stilin e një mashtruesi ordiner, provon që duke ndarë lëmoshë t’i mbajë “gjallë” pensionistët të cilët me aq sa marrin nuk i sigurojnë dot as ilaqet”, shkroi Haradinaj.

Tutje, Haradinaj ka kërkuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti që t’i rritë pagat dhe pensionet.

“Shteti nuk mbahet me “vitra”, herë 50 euro e herë 100 euro! Zgjidhja është me masa të përhershme. Rriti pagat e pensionet e mos e shndërro shtetin në “cirk social”. Pensionistët kanë nevojë për dinjitet e jo për lëmoshë”.

Ndërsa, postimin e tij, Ramushi e përfundon duke i thënë Kurtit “Nëse nuk di, merr shembull nga shtetet përreth”.

Në Ditën Ndërkombëtare të Pensionistëve me moton “Dinjitet për pensionistët” dhjetëra persona kanë protestuar para objektit të Qeverisë së Kosovës.

Ata kanë kërkuar ndryshimin e ligjit që detyron që ata të paraqiten çdo gjashtë muaj për vazhdimin e pensionit.

Po ashtu para objektit të qeverisë kanë lëshuar disa pëllumba për të simbolizuar lirinë.

Pensionistët edhe 3 javë më parë kishin protestuar para Kuvendit të Kosovës. Nisma e tyre ishte përkrahur nga shumica e partive politike.

Kohë më parë nismëtari i kësaj nisme, Xhevdet Pozhari ka bërë të ditur se Ministria e Financave ka filluar procedurat për të mundësuar largimin e detyrimit për pensionistët çdo gjashtë muaj.

Pensionistët kanë dy kërkesa kryesore: 1. Të largohen detyrimi që pensionistet të lajmërohen në qendrat sociale çdo 6 muaj për të dëshmua se janë gjalle dhe 2. Të subvencionohen të gjithë pensionistet me një shumë të hollash deri në miratimin e ligjit të ri për ngritjen e pensioneve.

/Shqip.com