Haradinaj reagon pasi Pacollit iu ndalua kandidatura për Prishtinën

Kandidati për kryetar të Prishtinës nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj, ka reaguar pasi Selim Pacolli nga Aleanca Kosova e Re nuk është certifikuar si kandidat për kryetar të kryeqytetit për zgjedhjet lokale që mbahen më 17 tetor.
Haradinaj është shprehur se lajmin e ka pranuar me keqardhje, ndërsa i ka bërë thirrje që t’i ndjekë të gjitha mjetet juridike “për të mbrojtur të drejtën e vet dhe të respektojë vendimet e gjyqësorit”.
Në një postim në Facebook, ai është ka shkruar se Pacolli si nënkryetar i Komunës dhe si kundërkandidat është “vlerë e shtuar e garës që i ndihmon debatit dhe garës demokratike”.
“E inkurajoj Z. Pacollin që t’i ndjekë të gjitha mjetet juridike për të mbrojtur të drejtën e vet dhe të respektojë vendimet e gjyqësorit”.
“Sido që të jetë verdikti, pa paragjykuar, roli i Z. Pacollit për Prishtinën në këtë garë ka qenë dhe është pozitiv dhe civil”, ka shkruar Haradinaj.
Selim Pacolli të premten ka njoftuar se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk e ka certifikuar kandidaturën e tij sepse, bazuar në një aktvendim të vitit 2019, e kishte bërë deklarimin e pasurisë 48 orë pas përfundimit të afatit ligjor për deklarim.
Pacolli ka paralajmëruar se megjithatë AKR-ja do të ketë kandidat për kryetar të Prishtinës./SHQIP.com