Lajme

Haradinaj: Qeveria e ka zhytur Kosovën në një krizë dhe rrezikshmëri të lartë

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovë, Ramush Haradinaj, tha se Qeveria Kurti e ka zhytur Kosovën në një krizë të thellë dhe rrezikshmëri të lartë.

Haradinaj ka kërkuar nga partitë opozitare që të bashkohen për një mocion mosbesimi ndaj qeverisë.

“Vlerësoj se Qeveria Kurti e ka zhytur Kosovën dhe ka sjellë vendin në një krizë të thellë edhe rrezikshmëri të lartë. Rrezikshmëria nuk vjen vetëm prej mënyrës se si qeveriset Kosova nga brenda, por edhe nga mënyra se si pasveprohet apo se si janë përkeqësuar marrëdhëniet me aleatët e Kosovës. Duke parë një gjendje të tillë që po shkon në përkeqësim të mëtejmë, që po i sjellë vështirësi pastaj gjithë sektorëve përfshirë ekonominë, ne i kemi propozuar parlamentit edhe një opsion me ndryshuar gjendjen.

Parlamenti si shtëpi e popullit, ka disa instrumentet, dhe një nga to më të rëndësishëm që ka demokracia, është mocioni i mosbesimit”, theksoi Haradinaj.

“Rreziku na detyron me shkuar në mocion mosbesimi. Besojmë shumë që në një moment të caktuar, mocioni i mosbesimit kryen punë”, tha tutje Haradinaj.

Haradinaj, ka kërkuar nga opozita që menjëherë t’i mbledhë 40 nënshkrime për të filluar, siç tha ai, betejën e mocionit të mosbesimit.

/Shqip.com