Lajme

Haradinaj: Po i sigurojmë votat për rrëzimin e Kurtit

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj tha se mënyra për të dalë nga situata e krijuar mes Kosovës e Serbisë, është shkarkimi i kryeministrit Albin Kurtit.

Haradinaj, për Shqip.com, tha se partitë të tjera opozitare, nuk janë kundër thirrjes së tij, por që duhet të sigurohet numri i duhur i votave, e që beson se kjo do të ndodh.

“Situata në veri nuk po përmirësohet, nuk ka një plan të mirë Albin Kurti, po e shihni që po na dënojnë ata që kanë bërë shumë për ne, për lirinë tonë, pra jemi në një pozitë të vështirë. Mënyra për të dalë nga kjo situatë është të shkarkohet Kurti, që me shpëtu Kosovën”, tha Haradinaj.

“Së pari të shpëtohet përkeqësimi i gjendjes në veri, e humbjen e kontrollit atje, sepse ka hyrë në një rrugë pa asnjë plan, pa aleat, por po ashtu edhe me e shpëtu Kosovën nga dënimet tjera të vazhdueshme, askush nga opozita nuk është kundër, mirëpo është çështje e sigurimit numër të duhur të votave, por besoj që do të ndodh”.

Tutje, i pari i AAK-së, tha se Kosova, duhet të ketë vlerësimin e aleatëve për veprimet që i ndërmerr, e që ata “reflektojnë sjelljen e kryetarit të Qeverisë”.

“Nëse aleatët tanë na vlerësojnë gabim, i vlerësojnë veprimet tona gabim, atëherë nuk ka sukses, sepse siç e dini, bota sot është e orientuar në sigurinë kolektive, pra duhet t’i kesh të gjithë me vete”, tha ai.

Ndër të tjera, ai tha se Kosova ka humbur epitetin e të qenit e përkëdhelur nga ndërkombëtarët, duke e zëvendësuar kështu Serbinë, siç thotë ai, të Millosheviqit.

“Sanksionet kanë pasoja të mëdha, janë afatgjatë, përpos dëmit që bëjnë direkt në jetën tonë, dëmi më i madh është që jemi vend i dënuar, i sanksionuar, dikur ka qenë Serbia e Millosheviqit e sanksionuar e në të përkëdhelurit, privilegjuar e të përkrahurit, tani jo vetëm që e kemi humbur vendin e të përkëdhelurit po e kemi zënë vendin e Serbisë së Millosheviqit, vendin që po dënohet dhe sanksionohet”, u shpreh Haradinaj.

Haradinaj, për qëndrimin e ndërkombëtarëve karshi sulmeve ndaj gazetarëve, policëve, e KFOR-it, thotë se ata do të kishin marrë vendimin e duhur, nëse Kosova, nuk do ishte vlerësuar si shkaktare e trazirave atje.

/Shqip.com