Lajme

Haradinaj: Plani evropian përfshin edhe njohjen, do ta ketë votën e AAK-së

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, është shprehur i bindur se në planin evropian përfshihet edhe njohja e Kosovës, teksa ka thënë se subjekti politik që ai drejton do të votojë pro kësaj marrëveshjeje.

Haradinaj po ashtu ka shtuar se tashmë është koha që të arrihet marrëveshja dhe që të mbahen zgjedhjet e rregullta në veri, ashtu siç është paraparë.

“Besoj që pasi ka dakordim për planin, për aneksin për implementim, është në përfundim puna. Pra, pritet që në ditët që vijnë shumë shpejt që të arrihet dakordimi edhe për aneksin për implementim.Me rëndësi për Kosovën është që të fitohet në kohë për shkak se nëse marrëveshja arrihet gjatë këtij muaji atëherë do të mund t’i mbajmë zgjedhjet e rregullta në veri ashtu siç është paraparë”, ka thënë Haradinaj.

Sipas Haradinajt në marrëveshjen evropiane, është edhe njohja nga Serbia.

“Nuk qëndron konstatimi se ka njohjen, e ka njohjen marrëveshja, e ka njohjen në planin ndërkombëtar. Pra Serbia, e njeh Pavarësinë e Kosovës, të drejtat si shtet i pavarur, i barabartë në bazë kartës së OKB-së planin ndërkombëtar”, tha ai.

Takimi i radhës midis Kosovës dhe Serbisë pritet të zhvillohet më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Të enjten në Kosovë pritet të vij emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe i njëjti do të pritet nga kryeministri, Albin Kurti.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu ka thënë për Shqip.com se në takimet e radhës do të diskutohet Plani i Zbatimit për propozimin evropian e që tashmë është pranuar edhe nga Kosova.

“Për Planin e Zbatimit do të diskutohet e negociohet në mes dy palëve në takimet e radhës. Ky plan duhet të përmbajë detaje konkrete dhe të jetë gjithëpërfshirës, të ofrojë efektivitet në zbatim dhe të jetë i sekuencuar në mënyrë të balancua. Takimi i parë në këtë drejtim ndërmjet Kryeministrit Kurti dhe emisarit Lajcak pritet të zhvillohet nesër në Prishtinë”, tha Kryeziu.

Ndërsa, njohësi i çështjeve politike, Visar Xani tha se nga vizita e Lajçakut nuk pret ndonjë gjë të re.

“Duhet pasur parasysh se kjo vizitë nuk do të sjellë ndonjë risi, por aty ku ka mbetur procesi, do të jetë shtytja kryesore, me qëllim që takimet e ardhshme të kenë sa më pak keqkuptime dhe të përgatitet terreni për një rezultat më të mirë të negociatave”.

Xani tha për Shqip.com se kjo vizitë është e rëndësishme për të lehtësuar procesin e koordinimit dhe përcaktimit të agjendës së takimit të 18 marsit në mes palëve.

/Shqip.com