Lajme

Haradinaj përkujton të vrarët në masakrën e Izbicës

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj
Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj

Kryetari i Aleancës për Ardhmerinë e Kosovës, ka përkujtuar masakrën e Izbicës në 24-vjetorin e saj.

Përmes një postimi në Haradinaj përkujton 147 shqiptarët që u vranë në këtë masakër.

“24 vjet më parë, ngjau një ndër masakrat më të mëdha të kryera nga forcat serbe gjatë luftës. Më 28 mars 1999, në fshatin Izbicë forcat ushtarake e policore të Serbisë, vranë mizorisht 147 shqiptarë të pafajshëm. Atë ditë, armiku nuk kurseu as gratë, fëmijët e pleqtë – as Dafinën 6 muajshe, eshtrat e së cilës u mbajtën për 18 vjet në Serbi”, shkroi Haradinaj.

Haradinaj tha se masakra e Izbicës dhe shumë të tjera që kanë ndodhur në Kosovë janë dëshmi e rrugës tonë për liri.

“Masakra e Izbicës e shumë të tjera që kanë ndodhur në tokën tonë, janë një dëshmi e rrugës tonë drejt lirisë, një rrugë plot vuajtje e sakrifica. Sot, kujtojmë të gjithë ata që humbën jetën në këtë masakër, duke nderuar sakrificën e tyre, e cila u bë themel i lirisë që e gëzojmë sot”.

Sot bëhen 24 vjet nga masakra e Izbicës, ku më 28 mars 1999, forcat policore dhe ushtarake serbe, pas rrethimit të mijëra civilëve të fshatit Izbicë dhe vendbanimeve përreth, veçuan 147 burra të rinj dhe pleq, të cilët i vranë dhe i masakruan, ndërsa pjesën tjetër e dëbuan jashtë Kosovës.

Masakra e Izbicës hyn në radhën e krimeve më të rënda të shtetit të Serbisë, ku vrasja masive, përdhosja e trupave dhe varrimi i tyre, përmes pamjeve satelitore, u bë lajm botëror.

Sot 24 vjet pas këtij krimi askush nga autorët dhe ekzekutuesit serbë nuk doli para drejtësisë vendore dhe asaj ndërkombëtare.

/Shqip.com