Lajme

Haradinaj për Kurtin: Shet patriotizëm dhe heq barrierat që mbrojnë prodhuesit vendorë prej Serbisë

Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj
Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, njëherësh edhe deputet nga kjo pari, Ramush Haradinaj, ka kritikuar Qeverinë Kurti për shfuqizimin e vendimit lidhur me marrjen e masave mbrojtëse antidamping për mbrojtjen e industrisë së materialit ndërtimor që kishte marrë ai derisa ishte në krye të ekzekutivit, njofton Shqip.com.

Këtë Haradinaj e ka quajtur vazhdimësi të mashtrimit të kryeministrit Albin Kurti.

Me anë të një postimi në llogarinë e tij në Facebook, i pari i AAK-së thotë se Kurti nuk po mbron prodhuesit vendor nga prodhimet serbe, duke e përmendur edhe reciprocitetin si një nga premtimet e tij të bëra gjatë fushatës.

“Mashtrimi vazhdon! Shet leksione patriotizmi në negociata, e në anën tjetër e heq çdo barrierë që mbron prodhuesit vendorë nga prodhimet serbe”, ka shkruar Haradinaj.

“Përpos se nuk aplikon reciprocitetin e premtuar, shfuqizon edhe masat mbrojtëse antidamping për bllokat e Serbisë, përmes të cilëve shteti i Serbisë i ka financuar prodhuesit e saj me qëllim të dëmtimit të prodhuesve vendorë të Kosovës. Mjaft mashtrimit!”, shtoi më tej ai. /Shqip.com