Lajme

Haradinaj pas takimit me Osmanin: Shpresoj të ndihmohet dalja nga kjo gjendje

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, deklaroi se ka kërkuar nga presidentja Vjosa Osmani, që nëpërmjet një takimi të përbashkët, të diskutohet kriza në veri.

Ai deklaroi pas takimit me Osmanin të enjten se i kanë trajtuar të gjitha shqetësimet “dhe shpreson nga kjo bisedë të ndihmohet në dalje”.

Haradinaj tha se s’e ka ditur që Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) do të refuzonin ftesën për takim me presidenten Osmani.

“Kemi propozuar që ky takim të mbahet në ambientin e Parlamentit dhe nuk paragjykuar kush do të jetë nikoqiri apo ndonjë çështje tjetër. Kam bërë kujdes të mjaftueshëm, presidentja ka kërkuar një takim dypalësh për të diskutuar lidhur me ftesën.

I kemi trajtuar krejt shqetësimet dhe shpresoj nga kjo bisedë të ndihmohet dalja nga kjo gjendje që kemi në vend. Kërkesa është bërë një nga një për të biseduar, unë si iniciues për kërkesë për takim, kam respektuar kërkesën, duke mos e ditur se kryetari i LDK-së e i PDK-së do të refuzojnë takimin”, tha deputeti i AAK-së.

/Shqip.com