Lajme

Haradinaj paralajmëron VV-në: Po na detyrojnë ta shqyrtojmë një bllok total ndaj tyre

Ramush Haradinaj - Kryetar i AAK-së

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se veprimet partisë në pushtet po e dëshmojnë se nuk po përkrahet asnjë iniciativë që vjen nga opozita.

Ai ka thënë se VV-ja, po e detyron partinë e tij ta shqyrtojë një “bllok total” aty ku kërkohet vota e tyre.

“Ne si opozitë duhet ta shqyrtojmë marrëdhënien me pozitën, sepse ne shpesh kemi votuar çështje të 2/3 tave si ligje të ushtrisë, marrëveshje ndërkombëtare. VV po na sjellë në një pozitë që ne ta shqyrtojmë një bllok total të cilës do iniciativë të pozitës, sepse ata nuk po gjejnë mirëkuptim në asnjë iniciativë tonën madje as edhe në iniciativën si kjo për Trustin”, ka thënë Haradinaj.

Sipas tij, deputetët e AAK-së janë munduar të bisedojnë miqësisht me deputetë të VV-së që të votojnë pro, por që në fund nuk është miratuar.

“Ne kemi qenë të vetëdijshëm se pa një mirëkuptim nga LVV kjo iniciativë nuk mund të shtyhet fare. Kemi dëshiruar të ruajmë një mundësi kompromisi dhe bashkëpunimi me LVV, por kjo e fundit po tregohet e pamëshirshme edhe për një temë si kjo e Trustit”, është shprehur Haradinaj në RTV Dukagjini.

/Shqip.com