Lajme

Haradinaj: Nëse s’ka zgjidhje, situata në Kosovë është drejtë eskalimit

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se situata në Kosovë është e keqe dhe drejt eskalimit.

Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj tha se zgjidhje më e mirë për situatën në veri të Kosovës do të ishte pranimi i kërkesës amerikane me kohë.

“Zgjidhja më e mirë do të ishte pranimi i kërkesës amerikane në kohë. Në situatën e krijuar tani, duhet të gjendet një zgjidhje, e cila mund të mos jetë e përkryer. Por, pa zgjidhje për gjendjen në veri të vendit, situata është keq dhe drejt eskalimit”, shkroi Haradinaj.

Kujtojmë se me kërkesë të Shteteve të Bashkuara, Kurti e ka shtyrë për 48 orë zbatimin e fazës së dytë të vendimit për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe në RKS – Republika e Kosovës.

Ai ka thënë të martën se ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, është shumë i përkushtuar për gjetjen e një zgjidhjeje për çështjen e targave ilegale serbe.

Faza e dytë parasheh shqiptimin e gjobave prej 150 eurosh për qytetarët që qarkullojnë me automjete me targa të tilla.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Hovenier, ka thënë se e ka kërkuar këtë shtyrje për t’i lejuar zyrtarët evropianë dhe ata amerikanë që të angazhohen me Kosovën dhe Serbinë për të gjetur zgjidhje për këtë çështje.

Tutje, Kurti ka thënë se prej takimit 8-orësh të 21 nëntorit, ai nuk ka qenë në kontakt me zyrtarët evropianë lidhur me çështjen e targave.

“Me keqardhje ritheksoj se (kryediplomati i Bashkimit Evropian, Josep) Borrell braktisi propozimin franko-gjerman, propozimin e Bashkimit Evropian duke thënë ‘le ta kemi një darkordim për targat’. Nuk mjafton dakordimi për targat”, ka thënë mes tjerash Kurti.

Sipas tij, “korrigjimi i gabimit të Borrellit është i domosdoshëm”.

/Shqip.com