Lajme

Haradinaj në takim me Escobar dhe Lajçak: Biseduam për njohjen reciproke në kufijtë ekzistues

Ramush Haradinaj - Kryetar i AAK-së

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka bërë të ditur se në takimin që ka zhvilluar me Përfaqësuesin Special të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe me Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak është diskutuar për njohjen reciproke në kufijtë ekzistues.

Haradinaj është shprehur se njohja në kufijtë mund të arrihet vetëm me rolin akti të SHBA-ve.

“Kam ripërsëritur përkushtimin tonë për një Marrëveshje Gjithëpërfshirëse Ligjërisht të obligueshme, e cila ka epilog njohjen reciproke në kufijtë ekzistues dhe respekton rendin kushtetues të Republikës së Kosovës, gjë që mund të arrihet vetëm me rolin aktiv të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, ka deklaruar Haradinaj.

Ndër të tjera kreu i AAK-së, ka takuar edhe Ambasadorin e ri amerikan në Kosovë, Jeffrey M. Hovenier.

Haradinaj i ka falënderuar që të tre për angazhimin e tyre, Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, për Republikën e Kosovës.

Ndryshe, Gabriel Escobar dhe Miroslav Lajçak kanë takuar edhe kreun e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi si dhe kreun e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

Escobar dhe Lajçak kanë mbërritur në Kosovë gjatë ditës së hënë, ku edhe janë takuar me Presidenten, Vjosa Osmani dhe Kryeministrin, Albin Kurti.