Lajme

Haradinaj me Latifin përkujtojnë viktimat e masakrave në fshatrat e Rahovecit

Ish-kryeministri i Kosovës, njëherësh kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, bashkë me kryetarin e Rahovecit, Smajl Latifi, kanë përkujtuar viktimat e masakrave në fshatrat e Rahovecit, duke thënë se sakrifica e tyre dëshmoi vullnetin e shqiptarëve për drejtësi.

“Rahoveci me rrethinë ishte vatër e rezistencës dhe e organizimit të luftës për liri. Në fshatrat si Opterushë e Retijë, shpirti i qëndresës është i përjetësuar. Ato mbesin në kujtesën historike si simbole të guximit dhe përkushtimit për Atdheun. Bashkë me Kryetarin Smajl Latifi, bashkëpunëtorë si dhe përfaqësues të OVL-së, kujtuam dëshmorët dhe martirët e këtyre fshatrave, që me sakrificën e tyre dëshmuan vullnetin e shqiptarëve për drejtësi dhe të drejtën për të jetuar të lirë nga shtypja”.

Ai tha se “aleanca jonë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e tjera të NATO-s nuk është thjesht një partneritet strategjik; është një zotim për të hapur rrugët e suksesit dhe përparimit për brezat e ardhshëm”.

Në frymën e atyre që kanë shkuar para nesh, Haradinaj kërkoi “të ripërtërijmë përkushtimin tonë për Kosovën në NATO, Kosovën shtyllë të lirisë, drejtësisë dhe zhvillimit. Le të punojmë krah për krah, të rreshtuar dhe të bashkuar në synimet tona. Kjo është detyrë, privilegj dhe nder për ne”.

“Lavdi e përjetshme të rënëve për liri. Heroizmi i tyre u trashëgoftë ndër breza!”.

/Shqip.com