Lajme

Haradinaj me gjuhë të ashpër ndaj VV-së: “Janë një shpi budallë”

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka adresuar një mori kritikash ndaj Qeverisë Kurti, duke shkuar deri në pikën sa i ka quajtur “një shpi budallë”.

Duke folur për refuzimin e gazit amerikan, Haradinaj ka thënë se përderisa e gjithë bota është në një krizë energjetike, Kosova e ka refuzuar një projekt të tillë.

“E shihni se sa luftë bëhet sot për kyçje në gazsjellës të ndryshëm pasi ka ra gazi prej Rusisë dhe në çdo alternativë sa ka interesim për kyçje dhe sa luftë bëhet. Dhe ju e shihni që Evropa e ka shpresën tek gazi i rrjedhshëm amerikan – do të duhej të ishim kyç edhe ne”, ka thënë Haradinaj në Klan Kosova.

Sipas Haradinajt, Qeveria e Kosovës po e vjedhë buxhetin e shtetit.

“Vërtet këta e kanë vetëm një shpresë sot, paren që ua kanë vjedh qytetarëve. Pra paren e buxhetit që ka qenë e paraparë të shkojë te qytetarët, qoftë përmes investimeve kapitale, qoftë përmes rrugëve tjera, që buxheti që i dedikohet qytetarëve. Atë pare të vjedhur këta do ta çojnë në Serbi, pra qindra milionë euro të Kosovës, do t’i shtohen 500 milionëshit të importit të Serbisë”, tha ai.

Ndryshe Ramush Haradinaj, në vazhdimësi ka qenë një ndër kritikët më të mëdhenj të qeverisë së Kurtit.

Kujtojmë se para disa viteve, Kurti e Haradinaj i kishin bashkuar forcat sa ishin në opozitë, për të kundërshtuar marrëveshjet siç ata i quanin “të dëmshmë” për Kosovën.

Kundërshtimi ndaj Asociacionit dhe “Zajednicës” ishin pikat e përbashkëta të këtyre dy liderëve, por që tash raporti i tyre është në pikën më të ultë të mundshme./SHQIP.com/

/Shqip.com