Lajme

Haradinaj me dyshime ndaj Kurtit që lidhen me kohën kur ka qëndruar në burg në Serbi

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se dyshon se fshihet diçka prapa deklaratave të Albin Kurti, të cilat sipas tij s’do të duhej të thuheshin nga kryeministri i një vendi që ishte viktimë e gjenocidit.

Haradinaj është shprehur se Kurti barazoi Kosovën që ishte viktimë me Serbinë që kreu gjenocid në vendin tonë.

“Ai kryeministër që vlerëson se edhe Kosova ka nevojë me u liru prej kriminelëve të luftës në politikë dhe institucione, le t’i jep emrat se kush janë… Një deklaratë e tillë kaq e dëmshme për vendin e tij, pra ku e ka fillin kjo deklaratë, ose ku e ka fillin deklarata tjetër e hapjes së arkivave, Po na barazon ne me hapjen e arkivave të ushtrisë gjenocidale të Millosheviqit”, tha Haradinaj në emisionin “Frontal” në T7.

Haradinaj ka thënë se të gjitha këto të bëjnë me dyshuar se nga e ka burimin kjo.

Ramush Haradinaj dhe Albin Kurti.

“Atëherë të kthehen në mendje disa lajme se është ndodh njëherë  në një makinë me pjesëtarë të BIA’s serbe i mbuluar me batanije…lindin shumë pyetje të tjera. Pse ka refuzuar me marrë atëherë armën në kohën e luftës, pse ka lejuar me u zënë   në atë mënyrë në Prishtinë, pse nuk ka ba rezistencë si UÇK ose pse është larguar nga ajo”, shtoi Haradinaj.

Kreu i AAK-së ka thënë se “kur i bënë këto dy deklarata, vetëm dikush që ka agjendë kundër, sidomos po them kundër kategorive të lirisë, e bën”.

“Të barazosh kriminelët e luftës të Kosovës me të Serbisë je ka ofendon viktimat, të barazosh arkivin e UÇK-së me të ushtrisë vrastare, ose të paramilitarëve serb, je ka i ofendon viktimat dhe ai person që e bën këtë në cilindo nivel gabon ai, se le më kur është kryeministër i këtij vendi”, tha ai./Shqip.com