Lajme

Haradinaj: Lejimi i shamisë do të legjitimonte diskriminimin dhe shtypjen ndaj vajzave

Ish-kryediplomatja e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla

Ish-ministrja e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla ka thënë se lejim i bartjes së shamisë në shkolla do të legjitimonte akoma më shumë diskriminimin dhe shtypjen ndaj vajzave.

Përmes një postimi në Twitter, Haradinaj ka thënë se kjo do të ndodhte pa pasur asnjë pengesë më.

“Lejimi i bartjes së shamisë për vajzat në shkolla fillore e të mesme do lehtësonte e legjitimonte akoma më shumë diskriminimin dhe shtypjen ndaj vajzave tona që në moshë të mitur, pa patur asnjë barrierë a pengesë për një gjë të tillë”, shkroi Haradinaj.

Haradinaj ka thënë se nuk mund të quhet e drejtë njerëzore “imponimi i prindërit” për bartjen e shamisë nga vajzat e mitura në shkolla dhe se kjo do bëntë që përmes shkollës të shtyhen agjendat fetare.

“Asnjëherë NUK mund t’a quajmë ‘të drejtë njerëzore’ një imponim të prindit ndaj vajzës së mitur për të bartë shaminë, e pastaj përmes këtij imponimi (të kamuflluar si e drejtë nj.) të shtyjmë përpara agjenda e interesa të grupeve fetare, politike e ekonomike – përmes shkolles“.

Ndër tjerash, ajo tha se Kosova është shtet sekular, dhe të gjithë duhet të ‘luftojmë’ t’a mbajmë e forcojmë si të tillë.

Ndërsa pasi të kalojë koha e shkollimit parauniversitar, Haradinaj tha se secili mund të vendos për mënyrën e paraqitjes.

Lexo edhe:
Kurti: Nuk duhet të ketë ndalim të shamisë por pragu duhet të jetë mosha 16-vjeçare

Gjatë ditës së sotme, në një konferencë për media kryeministri i Kosovë, Albin Kurti ka thënë se nuk duhet të ketë ndalesë për shaminë por që pragu duhet të jetë mosha 16-vjeçare./Shqip.com