Lajme

Haradinaj-Kurtit: Po shndërroheni në kryeministër autoritar

Kryeministri Albin Kurti dhe kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka reaguar ndaj kritikave që kryeministri Kurti ia ka dhënë gjatë së enjtes sistemit të drejtësisë.

Haradinaj ka deklaruar se ndarja e pushteteve është themeli i funksionimit të sistemit demokratik të një shteti, por kur pushteti sipas tij e sulmon sistemin gjyqësor të vendit të vet, ai pushtet e ka një problem serioz.

“Kryeministri gabon rëndë kur i jep të drejtë vetes për t’i gjykuar veprimet e një prokurori edhe nëse ai ka dyshime për punën e tij. Ai rrëshqet në diktaturë kur thotë se një person nuk do të mund të bëhet kryeprokuror sepse kjo është kundër dëshirës së tij. Vendosja e një kryeprokurori nuk bëhet sipas dëshirave të kryeministrit. Të paktën jo në sistemin tonë të drejtësisë! Kam frikë se diskursi i kryeministrit i shpërfaqur sot në foltoren e Kuvendit të Kosovës është jo vetëm i gabueshëm, por edhe me pasoja të rënda për shtetin e për drejtësinë”, ka shkruar Haradinaj.

Ai i ka kërkuar kryeministrit që të distancohet nga sulmet e parreshtura që po i bëhen prokurorisë dhe ta lërë drejtësinë ta bëjë punën e vet, në të kundërtën, ai do të shndërrohet në sinonim të një kryeministri autoritar dhe gjithë pasojat do t’i bartë ai vet!

/Shqip.com