Lajme

Haradinaj: Kurti po e rrezikon ekzistencën e Kosovës

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, në një konferencë për media ka dhënë detaje për mbledhjen e kryesisë së partisë.

Ai tha se Kurti dhe Qeveria e tij është në drejtim të rrezikshëm, sipas tij, “po e rrezikon ekzistencën e Kosovës”.

Kurti dhe Qeveria Kurti është në drejtim të rrezikshëm dhe po e rrezikon ekzistencën tonë, zbatimin e ligjit në veri, marrëdhënien me aleatët tonë. Duke parë këtë drejtim, kemi iniciuar mocion mosbesimi për qeverinë Kurti, e si mundësi brenda demokracisë tonë, pra me vepru në parlament. Sot diskutuam edhe forma dhe veprime tjera potenciale për tu përballur me Kurtin, me qeverinë Kurti, me rreziqet që ia shkakton vendit. Njëkohësisht vendosëm edhe krijimin e disa strukturave për tu përballur me atë qe po vjen dhe situatat rajonale, disa trupave në kuadër të kryesisë qendrore këtu. Nuk do t’i japim krejt detajet”, tha ai.

Haradinaj tha se është diskutuar si opsion edhe krijimi i një qeverie të unitetit kombëtar, që do të përfshinte të gjitha partitë politike, përfshirë edhe Lëvizjen Vetëvendosje.

Sipas bindjes tonë, nuk e kemi luksin me shku menjëherë në zgjedhje, pra diskutuam si opsion edhe mundësinë e një qeverie të unitetit kombëtar, pra të unitetit kombëtar ku do të ishin të gjitha partitë, përfshirë edhe VV-në, pra të një qeverie të ardhshme pa Kurtin”, tha ai.

Sipas tij, kjo mundësi “do ta kthente Kosovën në normalitet në agjendën euroatlantike”.

Është e pakuptimtë me u sjell normal në parlament më, pra të vazhdojmë me agjendë të zakonshme… Kohë më përpara kemi thënë se nuk është kohë e zakonshme, nuk është situatë e zakonshme, nuk mund të sillemi zakonshëm. Do të bashkëpunojmë me opozitën për qëndrimet tona në parlament, do të jemi bashkë, nuk do të ndahemi nga partitë tjera në një bojkot në parlament, por njëkohësisht në mundësinë e protestave dhe zhvillimeve tjera, pra ne veç kemi krijuar strukturat tona të brendshme për t’i përgjigjur situatave dhe rrethanave që vijnë”, ka thënë ndër të tjera Haradinaj.

/Shqip.com