Lajme

Haradinaj: Kurti e ka kohën e fundit t’i dëgjojë aleatët dhe t’i largohet tensioneve

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se është koha e fundit që kryeministri Albin Kurti, të largohet nga temat tensionuese.

Hardainaj, përmes një postimi në Facebook, tha gjithashtu se Kurti e ka kohën fundit edhe për t’i marrë parasysh kërkesat e aleatëve.

“Është koha e fundit që Kurti t’i lexojë drejtë porositë e miqve të palëkundur të Republikës së Kosovës, të Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Marrëdhëniet me Jashtë, të ofruara me dashamirësinë dhe mirëkuptimin e aleatëve dhe partnerëve në dëshminë e fundit të Escobar”, ka shkruar ai.

Tutje ai tha se ShBA, dhe politikëbërësit e saj, po inkurajojnë Kosovën t’u qëndrojë zotimeve, të hapë rrugë për afirmim ndërkombëtar, “për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, për fushatë globale të njohjes, për avancim në integrim evropian dhe për zhvillim social e ekonomik, për vendosmëri në proces të rrugëtimit drejt NATO-s dhe BE-së. Këtu qëndrojnë, këtu i gjejmë dhe këtu na presin miqtë tanë strategjikë”.

Ndërkaq, thotë se Kosova e ka për detyrim ta bëjë pjesën e saj, dhe ta përqafojë mbështetjen e parezervë të ShBA-ve dhe aleatëve, në mbylljen e plasaritjeve dhe shtigjeve të ndërhyrjeve nga Rusia dhe Kina në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Kurti mund të ketë ritmin dhe orën e tij, por Kosova nuk ka kohë për të humbur, veçmas kur porositë dhe pritjet e aleatit tonë janë të qarta dhe të drejtëpërdrejta”, tha ai.

/Shqip.com