Lajme

Haradinaj: Kosova ka nevojë për marrëveshje me njohje me Serbinë

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk ja ka idenë se çfarë është duke ndodhur në vendin e tij.

Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj tha se Kosova ka nevojë për një marrëveshje me njohje me Serbinë, dhe jo për ‘populizma’.

“Situata në Kosovë po përkeqësohet nga çasti në çast e Kryeministri nuk e ka idenë se çka po ndodhë me vendin e tij! Sot i kam kërkuar që urgjentisht të ndërrojë kahje e ta shfuqizojë vendimin e tij për targat e të mos e rrezikojë stabilitetin në vend e në rajon. Kosova ka nevojë për marrëveshje për njohje me Serbinë,  e jo për populizma që me to t’i shërojë egot e sëmura Kryeministri”, shkroi Haradinaj.

Haradinja ka thënë që nëse veprimet e Kurtit nuk harmonizohen me kërkesat amerikane është një tradhëti.

“Ne nuk e kemi luksin që për tekat e tij, ta rrezikojmë ekzistencën e shtetit dhe lirinë e paguar shtrenjtë. Nëse kryeministri nuk ndërron kurs të veprimit dhe nuk harmonizohet me kërkesat amerikane menjëherë, ai sigurt se po rrëshqet në tradhëti”.

Tutje, Haradinaj ka thënë që as Kurti dhe as dikush tjetër nuk do të lejohet që të rrezikojë të ardhmen e Kosovës.

Kujtojmë se Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që nga data 11 nëntor deri me 21 të bëjë qortimin ndaj shoferëve që vozisin automjete me targat të lëshuara nga autoritetet e Serbisë për të cilat Kosova i cilëson ilegale.

Pas 21 nëntorit do të vazhdojë masa e gjobitjes e cila parashihet të jetë deri me 21 janar.

Pas kësaj date, për dy muaj parashihet të bëhet testimi i targave – Deri me 31 mars të gjithë shoferët që bëjnë ri-regjistrimin e makinave të tyre do të kenë lehtësira, por jo edhe pas kësaj date.

21 prilli i vitit të ardhshëm shënon datën përfundimtarë që lejohet qarkullimi i këtyre automjeteve në territorin e Kosovës.

SHBA kërkon shtyrje të plotë të afatit për targat – SHQIP.com

ShBA edhe para se të merret vendimi i ri për targat, kanë kërkuar shtyrje për dhjetë muaj të afatit për ndërrimin e targave. Por janë shprehur të zhgënjyer pas refuzimit të kërkesës së tyre nga Qeveria e Kosovës.

Të njëjtën linjë me ShBA-të ka qëndruar edhe Bashkimi Evropian. Ata konsiderojnë që kërkesa e Kosovës për ndërrimin e targave ilegale është legjitime por kjo duhet të bëhet brenda një periudhe 12 mujore kështu, duke e cilësuar në kundërshtim me marrëveshjet e arritura në Bruksel.

/Shqip.com