Lajme

Haradinaj kërkon ndërprerjen e dialogut me Serbinë

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka akuzuar Qeverinë e Kosovës se nuk është duke bërë asnjë përparim në dialogun me Serbinë.

Haradinaj në debatin parlamentar në lidhje me dialogun ka kërkuar ndërprerjen e dialogut me Serbinë pasi duhet të mendohet për një format tjetër të dialogut ku duhet të diskutohet vetëm për njohjen e ndërsjellë ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

“Nuk është dialog teknik është dialog i teknikëve. Qeveria jonë para gjitha këtyre viteve të dialogimit arriti një marrëveshje për ngjitëse në tabela. Ne AAK-ja i kemi propozuar parlamentit një mocion përmbajtjesor për të vendos kornizën që parlamenti të vendos kornizën qeverisë e që ndër të tjera kërkohet që të mos vazhdojë më me dialog teknik por të kalojë në arritjen e marrëveshjes përfundimtare”, ka thënë Haradinaj.

Ndërkaq shefja e grupit parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari Lila ka deklaruar se Qeveria nuk i ka sjellur asnjë marrëveshje të dëmshme Kosovës.

Ajo ka thënë se Haradinaj është duke gabur në sulmin ndaj Qeverisë.

“Cila është marrëveshja e keqe që kjo qeveri ia solli Kosovës. Si ish-kryeministër kisha pritur një reflektim më serioz një qasje më unifikuese dhe gjithashtu një thirrje për unifikim. Sot kuvendi do të duhej të mblidhej dhe me një zë të dënonte heshtjen e Serbisë karshi veprimeve të Rusisë.  Ne duhet të jemi bashkë, ky kuvend duhet të flasë me një zë. Nuk e kanë forcën ushtarake të Rusisë dhe është një rrethanë kontekst tjetër gjeostrategjik në Kosovë . Sipas mocionit tuaj z. Haradinaj janë elemente që nuk kanë nevojë të përsëritën e ju ka kaluar afati”, ka thënë ajo. /Shqip.com