Lajme

Haradinaj: Jam i zhgënjyer deri në palcë me qeverisjen e Kurtit, për një vit nuk ka ndonjë punë të hajrit

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka akuzuar kryeministrin Kurti për bllokimin e Ligjit të pagave.

Haradianj ka thënë se Kurti për një vite nuk ka kryer ndonjë punë dhe shprehet se është zhgënjyer deri në palcë.

“Kam qenë ndër të rrallët në mos i vetmi që kam folur hapur se Kosova kishte nevojë për rotacion të pushtetit. Kam besuar se Albin Kurti dhe Vetëvendosje do të ishin zgjidhje e duhur, por sot jam i zhgënjyer deri në palcë me qeverisjen e tyre. Po si nuk e kryen një punë të hajrit për një vit e sa që janë në qeveri!?”, ka shkruar Haradinaj.

Ai ka shtuar se e Ligjin e ri të Pagave të miratuar nga Qeveria e udhëhequr nga ai, të cilin e ka bllokuar Kurti, një mjek specialist do ta kishte pagën bazë 1200 euro.

Ai ka thënë se për këtë fakt një numër jo i vogël i qytetarëve e kanë marrë rrugën e mërgimit.

“Si e bllokuan ligjin e pagave, që nuk është tjetër pos hajni ordinere ndaj mjekëve, mësuesve, policëve, ushtarëve, punëtorëve…Me ligjin e ri të pagave të miratuar nga qeveria ime, të cilin e ka bllokuar Albin Kurti, një mjek specialist do ta kishte pagën bazë 1200 euro. Sot e ka 703 euro. Kjo i bjen që Qeveria Kurti, e ka dëmtuar secilin prej tyre nga 6045 euro për vit. Natyrisht pa e kalkuluar inflacionin vjetor prej 14.1 %, i cili do të duhej të ishte harmonizuar me rritjen vjetore të pagave. Ngjashëm është edhe më të gjitha kategoritë tjera të të punësuarve, një numër jo i vogël i të cilëve tashmë e kanë marrë rrugën e mërgimit”, është shprehur Haradinaj.

Sipas Haradinajt qeverisë i janë rritur të hyrat, por u janë zvogëluar qytetarëve.

“Nuk ka asnjë shpjegim logjik, se pse kjo Qeveri nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për mbajtjen, sado kudo nën kontroll, të rritjes enorme të çmimeve. Qeverisë i janë rritur të hyrat, por u janë zvogëluar qytetarëve. Nga punët e Qeverisë Kurti, kanë mbetur vetëm deklaratat qesharake të eksponentëve të saj, se “pagat në Kosovë janë rritur më shumë se sa çmimet”.

Ai ka thënë se kjo Qeveri është shndërruar në qeverinë më antipopullore që ka pasur Kosova ndonjëherë./SHQIP.com