Haradinaj flet pas nderimit të Beau Biden: Kjo nuk është vetëm një medalje, por mirënjohje e një kombi të tërë
Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, është deklaruar pasi me një ceremoni shtetërore, Kosova të dielën ka nderuar Beau Biden, djalin e ndjerë të Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, njofton Shqip.com.
Haradinaj ka vlerësuar nderimin post-mortum që është bërë nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmsani, duke thënë se se Beau Biden ka shërbyer në mbrojtje të lirisë dhe demokracisë, ndërkohë që ka thënë se kjo medalje është një mirënjohje nga një komb i tërë.
“Vendi ynë është përgjithmonë mirënjohës ndaj SHBA-ve dhe lidershipit të Presidentit Biden në favor të prosperitetit dhe paqes në Ballkan”, ka shkruar ai në Facebook.
Sipas kreut të AAK-së, djali i presidentit Joe Biden, do të mbetet simbol i paqes dhe lirisë në Kosovë.
“Pusho në paqe Beau, shërbimi yt në ofrimin e paqes dhe lirisë do të mbetet pishtar ndriçues për Kosovën. Kjo nuk është vetëm një medalje, por mirënjohje e një kombi të tërë”, ka shkruar më tutje ai.
Në këtë ceremoni përveç presidentes Vjosa Osmani, morën pjesë edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, kryeministri Albin Kurti, përfaqësues të institucioneve dhe partive politike, si dhe ambasadori amerikan në Prishtinë Philip Kosnett.
Beau Biden ka vdekur nga kanceri në tru në vitin 2015. Ai ka shërbyer në Kosovë pas mbarimit të luftës, përkatësisht më 2001, në trajnimin e gjykatësve dhe prokurorëve vendorë.
Ndërsa, kjo është hera e dytë që Kosova nderon atë. Më 2016, në vitin e fundit të Bidenit si nënpresident amerikan, ai, së bashku me familjen e tij, kanë vizituar Kosovën, për të inauguruar rrugën Beau Biden afër kampit Bondsteeel./SHQIP.com