Lajme

Haradinaj: Fitore do të ishte sikur Kosova ta merrte ftesën për anëtarësim në NATO

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), të enjten ka mbajtur mbledhjen e Kryesisë ku ka diskutuar për zhvillimet politike në vend, pozicionin ndërkombëtar të Kosovës si dhe aspektet e organizimit të brendshëm të partisë.

Siç ka njoftuar zyra për media e AAK-së, Haradinaj, duke folur për zhvillimet politike tha se “Kosova është duke humbur hapin për shkak se qeveria aktuale është e fokusuar në ato që mund të cilësohen si fitore të vogla dhe e ka humbur fokusin nga fitoret e mëdha, që janë jetike për të ardhmen e vendit”.

Ai tha se fitore e të gjitha fitoreve do të ishte sikur Kosova ta merrte ftesën për anëtarësim në NATO, në samitin e madh historik që do të mbahet në muajin korrik, në 75-vjetorin e NATO-s.

Po ashtu kryesia e Aleancës, ka aprovuar planin veprues për vitin 2024, që përshin tri faza.

“Ky plan ka për synim mobilizimin e të gjitha potencialeve njerëzore të Aleancës, si dhe vendosjen e një standardi të zbatimit të obligimeve të marra dhe raportimit të rregulltë brenda strukturave. Plani parasheh që në fazën e parë të intensifikohet komunikimi i brendshëm në të gjitha nivelet e organizimit partiak. Ndërsa gjatë fazës së dytë, rëndësi të veçantë do t’i kushtohet komunikimit me kuadro të profilizuara për sektorë specifik, në nivel komunal dhe qendror. Faza e tretë, do të përfshijë aktivitetet masive të frymës dhe mesazhit për zgjedhjet parlamentare”, thuhet në njoftimin e AAK-së.

/Shqip.com