Lajme

Haradinaj e përkrah marrëveshjen me Serbinë për energjinë

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i ka dhënë notë kaluese marrëveshjes së nënshkruar nga Kosova dhe Serbia për energjinë elektrike.

Haradinaj përmes një postimi në Facebook ka deklaruar se sipas kësaj marrëveshjeje, nuk preket sovraniteti energjetik i Kosovës, meqë ai është vendosur me Marrëveshjen e re të kyçjes KOST-ENTSO-E, ku ndërkombëtarisht njihen kufijtë energjetikë të Kosovës, në kufijtë shtetëror dhe operimi I pavarur i KOSTT-it nga EMS (Serbia), si zonë rregulluese brenda sistemit rregullator me OST (Shqipërinë).

Dhe sipas tij operimi i KOSTT brenda Bllokut me Shqipërinë, siç e dini është vendosur me marrëveshjen e njohur edhe nga ENTSO-e, me 26.11.2019.

Ai tha se pika e parë e “Roadmap” është nënshkruar nga ai, ndërsa shtoi se nëse zbatohet nga Serbia nuk është keq në krahasim me gjendjen e tanishme

“Nëse pala serbe e zbaton këtë “roadmap”, nuk është keq në krahasim me gjendjen e tanishme. Pra e tëra, siç po thuhet në këtë marrëveshje bazohet në marrëveshjet e mëparshme për energjinë të viteve 2013/2015, veçse këtu janë vënë edhe afatet kohore”, ka shkruar Haradinaj.

Është arritur marrëveshja në mes të Kosovës dhe Serbisë për energjinë për komunat veriore të Kosovës.

Lajmi është bërë i ditur nga i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, i cili këtë marrëveshje e ka cilësuar si një hap të madh përpara.