Lajme

Haradianaj: Nuk mund t’i vendosen KFOR-it kushte ose afate

Ramush Haradinaj - Kryetar i AAK-së

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se nuk është e mundur që t’i vihen kushte ose afate KFOR-it.

Përmes një konference për media, Haradinaj tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe njerëzit e tij nuk janë duke vepruar drejtë lidhur me situatën në veri të Kosovës.

“Fatkeqësisht, as Kurti dhe as njerëzit e tij nuk  janë duke vepruar drejtë. Veprimet e deklarimet e pamatura të tyre në vazhdimësi e specifikisht në këta tre muaj veçse e kanë bërë situatën më të rëndë. Misioni paqeruajtës i NATO-s, KFOR, në Kosovë nuk është fare prandaj nuk mund të konsiderohet si i tillë. Nuk mund t’i vendosen kurfarë afatesh apo kushtesh KFOR-it. Misioni i tyre në Kosovë është i qartë dhe i pastër si loti”.

Krahas kësaj, Haradinaj tha se Serbia nuk mund ta sfidojë Kosovën e cila është e përcaktuar për paqe.

“Situata në veri të Kosovës po bëhet më serioze dhe e komplikuar. Platforma nxitëse e Vuçiqit në veri, po i kalon vijat e kuqe. Ai duhet urgjentisht që t’i urdhëroj njerëzit e tij që t’i heqin barrikadat e t’i kthehet tryezës së bisedimeve. Ai nuk mund ta sfidojë Kosovën e përcaktuar për paqe. Logjika që me mjete ushtarake të krijohet pozicion më i fortë me njohjen e ndërsjellët në raport me Kosovën është kapitull i mbyllur që në vitin 1999”.

Haradinaj ka një kërkesë edhe për serbët e Kosovës që të mos bien pre e provokimit dhe të largohen nga barrikadat.

Kurti: Nëse KFOR-i nuk i heq barrikadat, atëherë duhet ta bëjmë ne – SHQIP.com

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se barrikadat në veri nëse nuk largohen nga KFOR-i ashtu siç iu është kërkuar, atëherë duhet t’i largojnë institucionet e Kosovës.

Përmes një interviste në televizionin boshnjak, O Kanal, Kurti tha se nuk e dinë cila është arsyeja që KFOR-i po e bënë këtë ‘zvarritje’ ndaj heqjes së barrikadave.

“E pyetëm KFOR-in edhe përpara Krishtlindjeve. Dhe na vjen shumë keq që KFOR po zvarritet në këtë. Nuk e di pse po zvarritet dhe pse po e bën. Nuk e di se çfarë lloj bisedash kanë bërë atje. Por e di që kjo nuk mund të zgjasë shumë. Do të kemi një takim me KFOR së shpejti për të sqaruar gjithçka. Dhe në qoftë se KFOR nuk është në gjendje të heqë barrikadat apo për arsye të panjohura për mua, nuk do ta bëjë këtë, atëherë do të na duhet ta bëjmë këtë. Sepse barrikadat bllokojnë më së shumti serbët në veri”, tha Kurti.

Krahas kësaj, Kurti tha se barrikadat prishin rendin Kushtetues të shtetit.

/Shqip.com