Kulturë Kino

Hapet thirrja për propozimet e filmave për çmimet “Oscar”

Është hapur thirrja për propozime për edicionin e 95-të të çmimeve “Oscar”.

Qendra Kinematografike e Kosovës ka bërë thirrje që të dërgohen propozime për çmimet e Akademisë “Oscar”, për kategorinë për film ndërkombëtar/gjuhë të huaj, i cili mund ta përfaqësoj Kosovën këtë vit.

Sipas njoftimit, në këtë kategori përfshihen filmat e metrazhit të gjatë artistik, dokumentarë dhe të animuar më të gjatë se 40 minuta, që janë shfaqur/do të shfaqen në kinema, apo VOD platformë, për më së paku 7 ditë radhazi, jo më herët se 01 janar 2022 dhe jo më vonë se 30 nëntor 2022.

“Në periudhën kualifikuese dhe gjatë shfaqjes në kinema, filmi duhet të reklamohet dhe shfrytëzohet në atë mënyrë e cila konsiderohet normale dhe e zakonshme me praktikat e shpërndarjes së filmave të dedikuar për shfaqje të parë në kinema”, thuhet në njoftim.

Filmat të cilët, në një formë apo tjetrën, marrin një ekspozitë publike jo në kinema dhe shpërndarje para shfaqjes kualifikuese, nuk do të merren në konsideratë për çmimet OSCAR.

Shfaqje publike jashtë kinemave konsiderohen të jetë transmetimi dhe televizioni kabllor, PPV/VOD, shpërndarjet të DVD-ve, shpërndarjet gjatë fluturimeve ajrore, si dhe transmetimet në internet.

Kujtojmë që filmi që përfaqësojë Kosovën në edicionin e 94-të të “Oscar”, ishte “Zgjoi”, me regji të Blerta Bashollit.

“Zgjoi”, hyri në listë të ngushtë të nominimeve por që nuk kaloj në finale./Shqip.com