Kulturë

Hapet ekspozitë në 80-vjetorin e lindjes së shkrimtarit Fatos Kongoli

Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, duke pasur gjithmonë në vëmendje promovimin e vlerave më të mira të trashëgimisë kulturore kombëtare dhe personaliteteve që i japin dinjitet asaj, çeli ekspozitën “Fatos Kongoli në 80-vjetorin e lindjes”.

Kjo ekspozitë është konceptuar si një takim mes miqsh të vjetër, që ndan me publikun kujtimet dhe vlerësimet për jetën dhe veprën e shkrimtarit të rëndësishëm të letrave shqipe, me pjesëmarrjen e akademikëve, shkrimtarëve, studiuesve, pedagogëve, botuesve, miqve dhe dashamirësve të kulturës.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun në Sallën Amerikane, në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë.

Kongoli është cilësuar nga kritika si shkrimtar i tranzicionit, pasi gjithë veprën ia dedikon Shqipërisë në mbi 3 dekada demokraci. Më 12 janar të këtij viti ai festoi 80-vjetorin e lindjes dhe Akademia e Shkencave të Shqipërisë, me këtë rast, organizoi një pritje të veçantë. /atsh

/Shqip.com