Kulturë

Hana Halilaj emërohet Kuratore e Galerisë Kombëtare të Kosovës

Artistja Hana Halilaj është emëruar kuratore e Galerisë Kombëtare të Kosovës.

Kjo është bërë e ditur nga njoftimi i galerisë, Halilaj ka hulumtuar dhe riaktivizuar arkivin e Galerisë Kombëtare të Kosovës duke i prezantuar disa materiale arkivore në ekspozitën “Një Arkiv në Nënçati: Informator mbi Galerinë Kombëtare të Kosovës” (2022).

“Me ekspertizë të gjerë mbi historinë dhe rolin e institucionit, si kuratore ajo sjell përvojën e saj në galeri për ta mbështetur më tej programin dinamik të ekspozitave dhe projekteve hulumtuese e edukative të cilat do kontribuojnë në misionin e institucionit”, thuhet në njoftim.

Më parë ajo ka ushtruar role kuratoriale në Kunsthalle Portikus dhe Storefront for Art and Architecture, si dhe ka qenë e përfshirë në hulumtim në programin C-MAP në Muzeun e Artit Modern (MoMA).

Për momentin, ajo është Asistente Kuratore në CuratorLab në Universitetin e Arteve Konstfack, në Stokholm. Halilaj ka përfunduar studimet master në Qendrën për Studime Kuratoriale në Kolegjin Bard.

/Shqip.com