Haliti: Vuçiq dëshiron ta formojë Asociacionin para zgjedhjeve në Serbi

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti, ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do që ta formojë Asociacionin e Komunave Serbe para zgjedhjeve në Serbi, përcjell Shqip.com.
Sipas tij, për këtë, Vuçiq po e shfrytëzon situatën e krijuar në Veri të Kosovës pas vendosjes së reciprocitetit me targa.
“Duhet ta kemi parasysh që ne ndonjëherë mendojmë se veç marrëveshjet që kanë të bëjnë me qëllimet dhe interesat tona individualiste janë të rëndësishme dhe të të tjerëve jo. Ata kanë hall tjetër. Aleksandar Vuçiqit i intereson fort që para zgjedhjeve të mund ta formojë ‘Zajednicën’ qysh po i thonë Vetëvendosja, pra Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Serbia e ka këtë qëllim dhe në bisedime do të dalë kjo çështje ku do të përplasen të dyja palët”, tha ai në Klan Kosova.

Tutje, Haliti shtoi se Qeveria Kurti po e shfrytëzon për vota vendosjen e reciprocitetit me targa ndaj Serbisë.
“Qeveria Kurti po e shfrytëzon mirë për fushatë elektorale, por edhe partitë e tjera i kanë dhënë mbështetje kësaj çështje në mënyrë që të zgjidhet problemi i targave sepse është një marrëveshje e nënshkruar disa vjet më parë”.
Po ashtu, ai tha se nuk beson që Kurti ka bërë veprime që nuk janë të dakorduara me Shtetet e Bashkuara të Amerikës si dhe mekanizmat e tjerë ndërkombëtarë.
“Me SHBA-të nuk mund të mos ketë dakordim. Unë me aq sa kam informata ai [Albin Kurti] ka kontakte, e kanë takuar dhe e takojnë vazhdimisht sepse është kryeministër i vendit. Ndoshta për ta goditur politikisht mund të thonë që ka përplasje, por këto përplasje do të kisha shumë dëshirë me i dëgju prej amerikanëve”, përfundoi ai.
Që 20 shtatori, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të vendos masën e reciprocitetit ndaj Serbisë.
Kjo masë nënkupton që çdo veturë që hynë nga Serbia, duhet t’i zëvendësojë tabelat e veturës me ato të Kosovës, të cilat janë të përkohshme.
Të pakënaqur për këtë, serbët që jetojnë afër pikave kufitare në Jarinje dhe Bërnjak, i kanë bllokuar rrugët që nga vendosja e reciprocitetit.
Për të mbikëqyrur situatën, Njësitet Speciale të Policisë së Kosovës janë pozicionuar në këto pika kufitare. Ata janë provokuar disa herë nga protestuesit serbë, të cilët lëshonin këngë nacionaliste.
Po ashtu, gjatë ditëve të fundit janë parë edhe helikopterë ushtarak serbë që patrullonin mbi këto pika kufitare./Shqip.com