Hakimi – e dërgon Marokon në çerekfinale

Maroko është kualifikuar në çerekfinale të Kupës së Komebeve të Afrikës.
Kjo kombëtare doli fituese kundër Malawi – me rezultat të ngushtë 2-1.
Ani pse Maroko ishte favorite në letër, ishin kundërshtarët që shënuan të parët.
Pas vetëm shtatë minutave lojë, topin në rrjetë e dërgoi Gabadinho Mhango.
Por, ky gëzim zgjati vetëm deri në përfundim të pjesës së parë.
Sulmuesi i Sevilliës, Youssef En-Nesyri shënoi në minutat shtesë për ta barazuar rezultatin 1-1.
Ky ishte edhe epilogu i 45 minutëshit të parë.
Pjesa e dytë e solli një takim të kujdesshëm nga të dyja palët.
Shifrat nuk ndryshuan deri në minutën e 70-të. Në “skenë” doli Achraf Hakimi.
Futbollisti i PSG-së shënoi nga gjuajtja e lirë – për të treguar edhe një herë klasin e tij.
Kjo ishte hera e dytë që shënon nga gjuajtja e lirë – në këtë kompeticion, teksa u shpall lojtari i ndeshjes.
Deri në përfundim të takimit, Malawi u përpjek me të gjitha forcat për ta barazuar rezultatin, por nuk arriti diçka të tillë.
Maroko avanson tutje.
Kualifikimin në çerekfinale – sot e siguroi edhe Senegali, pasi triumfoi 2-0 kundër Cape Verde. /Shqip.com