Lajme

Haki Abazi tregon përse lëshoi studion gjatë debatit

Haki Abazi i VV-së

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, ka arsyetuar largimin nga studio e televizionit “Kanal 10”, ku po diskutohej për marrëveshjen e Uashingtonit dhe caktimin e ambasadorëve, duke thënë se “debati ishte i nivelit të ultë dhe pa argumente”.

Në një postim në Facebook, ka shkruar se gjuha dhe sjellja vulgare në studio dhe përgjithësisht në hapësirën mediale është e papranueshme.

“Sonte kam lëshuar studion në kanalin 10 për të mos qenë as pranues e as kontribuues i nivelit të ulët të debatit, gjuhës vulgare dhe ofenduese dhe tendencës që nëpërmjet zhurmës të pamundësohet biseda konstruktive”.

Sipas tij, në debate s’duhet që patjetër të ketë fitues, dhe “nëse ky është qëllimi dhe qëllim në vete është me patjetër krijimi i perceptimit mbi të vërtetën dhe realitetin e bazuar ne fakte për shpërqendrim të fokusit, e deklarime krejt spekulative, atëherë kjo formë nuk meriton të ushqehet si diskurs publik dhe jemi përgjegjës të kthehemi te e vërteta”./SHQIP.com