Haki Abazi kërcënon Albanian Post-in dhe drejtorin e tij
Ish-zëvendëskryeministri i Kosovës, njëherësh deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, ka kërcënuar mediumin “Albanian Post” lidhur me një shkrim që kjo e fundit kishte publikuar për të ditë më parë.
Në audio-incizimin e publikuar nga “Albanian Post”, Abazi dëgjohet duke thënë “Do ta bëjë edhe ma zi se në Klan”, derisa është kontaktuar nga mediumi për të marrë një prononcim për emrat e ambasadorëve të rinj të Kosovës, pasi Abazi është kryetar i Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme dhe Diasporë në Parlamentin e Kosovës.
E akoma më i ashpër Abazi është treguar për drejtorin e mediumit, Baton Haxhiu.
“Ta bëj më zi se në Klan, për besë ka me ardhë dita më zi se në Klan ka me të ndodhë”, është shprehur Abazi, duke lënë të kuptohet se ka përdorur pozitën e tij për të ndërhyrë në mediat e vendit.
“Unë po të tregoj, thuaj Baton Haxhiut mos ma qitë të keqen prej barkut”, ka vazhduar ai.
Reagimi i Abazit ishte për shkak të një raportim të “Albanian Post” lidhur me intervistimin e kandidatëve për ambasadorë.
AP kishte raportuar tekstin me titullin “Dështon intervistimi i kandidatëve për ambasadorë”, derisa brenda tekstit ishte një intervistë e realizuar me Time Kadrijajn, anëtare e komisionit.
Lidhur me këtë çështje ka reaguar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, të cilët e kanë dënuar ashpër kërcënimin e deputetit Abazi.
“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës është thellësisht i shqetësuar për kërcënimin që deputeti i partisë politike në pushtet, Vetëvendosje, Haki Abazi ka bërë ndaj mediumit ‘Albanian Post’, dhe drejtorit të tij, Baton Haxhiu. ‘Albanian Post’ e ka publikuar audio-incizimin në të cilin Abazi dëgjohet duke kërcënuar mediumin për shkak të raportimit të mëhershëm për dështimin e procesit për emërimin e ambasadorëve të rinj të Kosovës”, thuhet në reagimin e tyre.
Sipas AGK-së, kërcënimi i hapur e me paramendim i deputetit ndaj gazetarëve është i papranueshëm dhe kontribuon në rrezikimin e sigurisë për kolegët tanë.
“Veprimi bëhet edhe më serioz për faktin që vjen nga një zyrtar i lartë i partisë që udhëheq me Qeverinë dhe Kuvendin e Kosovës. AGK-ja e fton partinë e Abazit, sikurse edhe institucionet shtetërore të distancohen qartë nga gjuha kërcënuese e deputetit”./SHQIP.com