Lajme

Hajdari: Vetëm nga Austria janë 16 kompani që kanë shprehur interesim për investime në Kosovë

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka thënë se janë duke draftuar politikën për industri, ku fokusi kryesor do të jetë te mineralet dhe minierat.

Ajo tha se shumë investitorë kanë vizituar fushën e industrisë përpunuese dhe të metaleve në Kosovë, duke sqaruar se vetëm nga Austria janë 16 kompani që kanë shprehur interesim për investim në Kosovë.

Sipas saj, institucioneve u mbetet vetëm që të bëjnë më shumë në krijimin e lehtësirave të të bërit biznes.

“Ne kemi pranuar shumë vizita të investitorëve në fushën e industrisë përpunuese specifikisht në industrinë e metaleve ka shumë interesim nga sektorë të industrisë gjermane. Kanë ardhur edhe 16 kompani austriake”.

“Ato kanë plane më të mëdha për të investuar në Kosovë, por ne duhet të lehtësojmë edhe legjislacionin e të bërit biznes kryesisht ligjin për investime të huaja dhe për investime strategjike të cilat i kemi bashkuar në një kornizë tani dhe Ligjin për zona ekonomike që ofrojnë lehtësi dhe siguri”, tha Hajdari për EO.

Ajo tutje, shtoi se është e rëndësishme të kontribuojnë edhe në efiçiencën e energjisë respektivisht në agjendën e gjelbër./SHQIP.com