Lajme

Hajdari takohet me Abbott, flasin për forcimin e bashkëpunimit mes dy vende

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka pritur këtë të martë në takim Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, Nicholas Abbott.

Në këtë takim u nënshkrua plotësim-ndryshimi i Marrëveshjes Për Partneritet, Tregti dhe Bashkëpunim, ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar, e cila ka të bëjë me prokurimin publik të shërbimeve klinike shëndetësore, të financuara me mjete publike.

“Takimi u zhvillua si çdo herë në frymë shumë pozitive, me qëllim thellimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit mes Kosovës dhe Britanisë së Madhe, përmes projekteve të reja dhe synimeve të përbashkëta që do të rrisin prosperitetin dhe mirëqenien e qytetarëve tanë”, njofton Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.

Gjatë takimit u diskutuan edhe mundësitë për forcimin e bashkëpunimit ekonomik përmes organizimit të ngjarjeve ekonomike në mes të dy vendeve, si dhe përkrahja e madhe që Britania ka dhënë në vazhdimësi për procese të ndryshme në Kosovë.

/Shqip.com