Lajme

Hajdari shpreh mirënjohje dhe falënderim për veprimtarët që kontribuan në shtetësinë e Kosovës

Rozeta Hajdari - Ministre e Industrisë dhe Tregtisë

Ministrja e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka shprehur mirënjohje dhe falënderim për ata të cilët kontribuan për shtetësinë e Kosovës.

Përmes një postimi në Facebook, Hajdari ka përkujtuar 32 vjetorin e shpalljes së Deklaratës Kushtetuese të Kosovës.

“Më 2 korrik 1990, në rrethana të vështira të krijuara nga pushtuesit serbë, delegatët tanë shprehën vullnetin shekullor të popullit tonë për liri e pavarësi. Mirënjohje e falënderime të përhershme veprimtarëve që mundësuan realizimin e aspiratave të popullit tonë për shtetësinë e Kosovës”, shkroi Hajdari.

Si sot 32 vjet më parë delegatët e Kuvendit të Kosovës, miratuan Deklaratën e Kushtetutës e cila tashmë njihet si Deklarata e 2 korrikut.

Me miratimin e asaj deklarate, Kosova u shpall njësi e veçantë në kuadër të federatës së atëhershme jugosllave.

Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut, të vitit 1990, shënon pikënisjen e shtetësisë së Kosovës e cila u zhvillua jashtë objektit të Parlamentit, në kushte të rrethimit nga forca të mëdha policore e ushtarake.

Deklaratën Kushtetuese mbi Kosovën si njësi të pavarur dhe të barabartë në kuadër të federatës apo konfederatës jugosllave, e shpallën në Prishtinë 111 delegatët shqiptarë të Kuvendit të Kosovës./Shqip.com