Lajme

Hajdari: Shkak i parregullsive, ua pezulluam lejet katër kompanive përpunuese të naftës

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari bashkë me drejtorin e Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu

Ministrja e Tregtisë, Industrisë dhe Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari, ka deklaruar se kanë marrë vendime lidhur me tregtinë e produktit të naftës dhe e njëjta së bashku me Drejtorin e Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu kanë shfaqur disa rezultate të hetimeve.

Hajdari, ka treguar se kanë identifikuar katër subjekte të cilat kanë bërë mashtrime sa i përket derivateve dhe se si shkak i këtyre parregullsive kanë revokuar dhe pezulluar lejen për importin e lëndës së parë.

“Për këto gjetje sot drejtori i Doganës do ti elaborojë më shumë. Dogana ka pezulluar autorizimet, përkatësisht nuk iu është vazhduar autorizimi katër subjekteve. Por duhet cekur se disa nga subjektet u kanë shitur produktet e naftës kompanive të palicencuara, nuk kanë përdorur mjete matëse të verifikuara dhe kanë shmangur akcizën duke deklaruar gabimisht përbërjen e produktit. Këto veprime e mosveprime përbëjnë shkelje të ligjit, duke u mbështetur në fakte ne si ministri kemi revokuar dhe pezulluar katër subjekteve lejen për importin e lëndës së parë, deponimin e lëndës së parë dhe produktit final si dhe shitjen me shumicë të produktit final, që është vaji i rëndë”, shtoi ajo.

Hajdri ka treguar se njërit nga subjektet i kemi pezulluar edhe lejen për importin e vajrave të rënda,

“Gjatë javëve të fundit kemi testuar disa mostra të Dizel-it në kuadër të Forcës së Sigurisë së Kosovës, kemi gjetur me inspektoratin shumë raste të jo konformitetit. Në një rast kemi gjetur Dizel me përmbajtje të sulfurit, prej 77.4 miligramë për kilogramë që tejkalon shumëfish shkallën e lejuar prej 10 miligramë /kilogramë. Për këto raste do të njoftojmë edhe Prokurorinë, të gjithë e dimë sa e rëndësishme është cilësia e naftës për sigurinë publike, për shëndetin publik si dhe për mjedisin.Inspektorati po punon intensivisht për të zbatuar ligjin e naftës. Inspektorati ka gjetur se një numër i madh i shitësve kanë tejkaluar marzhën tregtare të lejuar, e është lëshuar urdhër me shkrim për për respektim të ligjit si dhe është dërguar si lëndë në gjykatë.”, tha ajo./Shqip.com