Ekonomi

Hajdari: Investimet e huaja po vijnë në sektorë të ndryshëm

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari

Mbi 1800 biznese të huaja janë regjistruar në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve nga viti 2021 deri në fund të vitit të kaluar, ka bërë të ditur ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari.

Hajdari ka thënë se investimet e huaja kanë investuar në sektorë të ndryshëm, me theks të veçantë në prodhimtari dhe në përpunim.

Sipas saj, bizneset e huaja janë të interesuar ta shfrytëzojnë potencialin gjeografik të Kosovës dhe sistemin e favorshëm tatimor.

“Në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve (ARBK), kemi të regjistruar nga viti 2021 deri në fund të vitit 2022, janë afër 1873 biznese të huaja, pra me origjinë të vendeve të huaja të regjistruara në Kosovë, në sektorë të ndryshëm, ku përfshihet edhe numri i 150 bizneseve konkretisht në sektorin industrial prodhim, dhe sektorë të tjerë që e përfshijnë fushat e veprimtarive të ndryshme”, ka thënë Hajdari.

Investime tjera, Hajdari thotë se pret pas miratimit të Ligjit për Investime Strategjike, i cili është miratuar në Kuvendin e Kosovës.

Këtë rast unë pres edhe më shumë investime tash me Ligjin e ri për Investime, pra me politikën industriale, Ligjin për Parqe Industriale e ku do të ketë një trajtim më të barabartë, më thjeshtësim të procedurave dhe me lehtësira për të bërë biznes në Kosovë”, u shpreh ajo për Ekonomia Online.

Krahas sektorit në prodhimtari e në përpunim, Hajdari thotë se bizneset e huaja janë të interesuara të investojnë edhe në fushën e energjisë së ripërtrishme dhe të shërbimeve.

“Kryesisht që vijnë në Ministrinë tonë, janë në fushën e energjisë së ripërtrishme, janë në fushën e prodhimit dhe përpunimit, por edhe në fushën e shërbimeve. Vlen të përmendet prodhimi i përpunimit të industrisë së metaleve, që është në interes të lartë nga bizneset evropiane që të vendosën në Kosovë”, u shpreh Hajdari, teksa përmendi edhe investimin potencial të Kompanisë “Munda”, e cila merret me zhvillimin dhe prodhimin e tapicerive dhe tekstileve për industrinë e automobileve.

/Shqip.com