Lajme

Hajdari: Gjatë 2021-ës u rrit eksporti i mallrave të Kosovës, investimet e huaja kanë qenë gati 500 milionë euro

Rozeta Hajdari - Ministre e Industrisë dhe Tregtisë

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari ka raportuar në Komisionin për Ekonomi.

Hajdari, theksoi se gjatë vitit 2021 numri i ankesave të konsumatorëve ka arritur në 2000 ose 300 pèr qind më shumë se viti paraprak.

Sipas ministres, niveli i eksporteve të mallrave të Kosovës ka shënuar rritje gjatë vitit të kaluar për 62 për qind.

E kryetari i komisionit, Ferat Shala kërkoi të di për udhëzimin administrativ që e rregullon sektorin e naftës dhe për subvencionimin e bujqve me naftë.

“Patëm veprime qeveritare që identifikuan që kemi pas defekte në këtë sektor, a do të ishte më mire që të kishim një shënjëzim dhe këto mundësi mos t’u jepen atyre që të keqpërdorin. Cili është mendimi juridik e teknik që subvencionimi i naftës ta kemi ashtu siç është planifikuar për bujqit e të kos kemi keqpërdorime”, pyeti Shala.

Ministrja Hajdari tha se markimi i naftës është një problem i trashëguar. Ndërsa tha se problemi duhet të zgjidhet në doganë dhe jo te konsumatori.

“Ne kemi trashëguar një proces me udhëzim administrativ i ngushtë dhe pa bazë ligjore për naftën i cili nuk e kishte par shikimin e markimin e naftës. Ne kemi anuluar pjesërisht udhëzimin administrativ për t’u ulur me palën kontraktuese për të biseduar”, tha Hajdari.

“Për naftën për bujqësi nuk kemi problem, kemi problem te importi i naftës për qëllime bujqësore. E kemi mekanizmin i cili veçse është hyrë në fuqi dhe po i mbledhim raportet nga laboratorët duke përfshirë doganën,  laboratorin e ministrisë, nga këto palë do t’i shohim parametrat se si do të vijnë. Dhe pastaj sipas ligjit do tu adresojmë këto manipulime në treg”, tha ministrja Hajdari.

Ministrja Hajdari tha po ashtu se gjatë vitit 2021, investimet e huaja kanë qenë gati 500 milionë euro.

Ndër të tjera, ajo ka njoftuar anëtarët e Komisionit për projektligjet e miratuar nga kuvendi dhe projektligjet që janë në proces të miratimit.

Po ashtu ka thënë se rreth 80 për qind e masave të MISA-së janë finalizuar nga kjo ministri gjatë vitit 2021./Shqip.com