Lajme

Hadergjonaj në Speciale: Emrin tim e keni gjetur mbi një dëshmi të rrejshme

Ish-deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Safete Hadergjonaj, gjatë dëshmisë së saj të mërkurën në gjykimin ndaj Pjetër Shalës, tha se Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë ia kanë gjetur emrin e saj mbi një dëshmi të rrejshme.

Sipas saj, çdo dëshmi që është dhënë për luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është e fabrikuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Çdo dëshmi e cila është dhënë për luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që kanë bërë luftë të pastër dhe të drejtë, është dëshmi e fabrikuar… Unë jam e ulur këtu mbi një dëshmi të rrejshme që e kuptova sot këtu se unë nuk e kam ditur pse kam ardhur në Hagë këtu”, tha ajo.

Hadergjonaj tha se nuk e kishte ditur se si e kanë gjetur emrin e saj për ta ftuar që të dëshmojë si dëshmitare.

“Nuk e kam ditur si e keni gjetur emrin tim për të më thirrur këtu, domethënë e keni gjetur mbi një dëshmi të rrejshme”, tha dëshmitarja Hadergjonaj.

Ndryshe, edhe i akuzuari Pjetër Shalës kërkoi që të marrë fjalën, mirëpo kjo gjë nuk u aprovua nga kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt- Foglia. Sipas saj, Shalës kjo mundësi do t’i jepet nesër me kërkesën e avokatit mbrojtës të tij, pasi ky i fundit kërkoi që të konsultohej me të.

Zyra e Prokurorit të Specializuar, përmes prokurores Gaia Pergiolo, ka përfunduar pyetjet për këtë dëshmitare, mirëpo dëshmia e saj do të vazhdojë edhe ditën e nesërme.

/Shqip.com