Sport Shqiptar

Hadar tregon synimin e tij me Kosovën

Përzgjedhësi i ri i Kosovës, Rami Hadar ka folur për përvojën e tij të re tek Përfaqësusja jonë.

Trajneri izraelit thotë se do të mundohet ta bëjë një ekip kompakt, i cili do të mundë t’ju bëjë ballë kundërshtarëve.

Ai ndihet i lumtur dhe i privilegjuar që iu besua kjo pozitë.

“Jam i lumtur që jam këtu. Jam krenar që drejtoj Kosovën. Jam krenar që Federata e Basketbollit më zgjodhi mua për ta drejtuar këtë ekip. Lojtarët erdhën me disponim të mirë dhe me harmoni. I kemi bërë vetëm tri stërvitje dhe është ende herët të themi diçka për basketbollin, më pëlqen qëndrimi i tyre dhe shpresoj ta bëjmë një lojë të bukur po ashtu”, u shpreh fillimisht Hadar për faqen zyrtare të FBK-së.

Ai foli edhe për kundërshtarët e Kosovës në rrethin e tretë parakualifikues të Eurobasket 2025, respektivisht Zvicrën e Danimarkën.

“Mendoj se përpara nesh janë dy ekipe të mira, me lojtarë të mirë dhe të njohur. Por, ne duhet të garojmë, ta bëjmë punën tonë dhe puna ime është që t’i fitoj ndeshjet me Kosovën. Dua ta dërgoj ekipin tek përpjekja maksimale, që lojtarët të luajnë për njëri-tjetrin dhe për flamurin”, përfundoi përzgjedhësi i Kosovës, njëherësh edhe trajner i KB Pejës.

/Shqip.com