Sport Shqiptar

Hadar e Berisha optimistë për fitore

Në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian të basketbollit, Kosova të mërkurën do të ballafaqohet me Zvicrën, ndeshje që zhvillohet në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren.

Para kësaj sfide, trajneri i Kosovës, Rami Hadar theksoi se gjatë këtyre dy javëve të stërvitjeve ka parë progres të madh tek lojtarët, derisa shtoi se e ka studiuar Zvicrën dhe se do të hyjnë në fushë për fitore.

“Në këto dy javë kam parë progres të madh te ekipi, por ka ende hapësirë për përmirësim. Ne jemi gati për këtë ballafaqim. Zvicra është rival i vështirë, e kemi studiuar atë, por ne jemi gati po ashtu dhe unë jam optimist për rezultat pozitivë, tha Hadar.

Nga ana tjetër, kapiteni i kombëtares, Dardan Berisha, duke vlerësuar lartë punën e trajnerit izraelit dhe përkushtimin e tij, deklaroi se të mërkurën Kosova zbret në parket për të dhënë maksimumin. Sipas tij, skuadra e tanishme është dukshëm më cilësore se sa viteve të kaluara, andaj edhe pritjet janë të mëdha.

“Kosova ka pasur trajnerë të mirë vazhdimisht, por më duhet të pranoj që Hadar ka sjellë seriozitet të madh në stërvitje. Me idetë e tij ne do të dalim në fushë për të treguar lojën tonë përballë Zvicrës. Ajo që ka rëndësi është përkushtimi që duhet ta kemi. Unë pres që ta kemi mbështetjen e tifozëve sepse janë pjesë shumë e rëndësishme e jona”, tha Berisha.

Kosova-Zvicra përballen në kuadër të rrethit të tretë parakualifikues për Eurobasket 2025. Në këtë grup është edhe Danimarka, ndërsa vendi i parë kualifikohet në rrethin e ardhshëm.0

/Shqip.com