Sport Ndërkombëtar

Haaland tregon kujt do t’ia besonte penalltinë e jetës

Erling Haaland është padyshim protagonisti më i madh i këtij sezoni të paktën deri në këtë moment. Ylli i Manchester Cityt po “shkatërron” një nga një rekordet e vendosura më parë në Premier League, ndërsa është shndërruar në pikën e referimit të skuadrës së drejtuar nga Pep Guardiola. Së fundmi, norvegjezi është intervistuar nga Sky Sports, ku i është përgjigjur edhe disa pyetjeve pikante, si për shembull se kujt do t’i besonte penalltinë nga e cila do të varej jeta e tij, apo se me kë do të jetonte në një ishull të vetmuar.

“Kujt do t’i besoja penalltinë nga e cila do të varej jeta ime? Do ta godisja vetë, sepse unë kam shumë besim te aftësitë e mia. Në të kundërt, do t’ia besoja Mario Balotellit, për mua ndoshta është më i miri që kam parë. Ishte me të vërtetë një djalosh i zoti”.

Cilin personazh do të zgjidhte Haaland për ta marrë në një ishull të vetmuar? “Besoj se do të zgjidhja De Bruyne, ai do të më asistonte edhe në ishull. Më pas mund të zgjidhja edhe prindërit e mi, pasi ata kujdesen gjithnjë për mua dhe do të më gatuanin ushqime të mira norvegjeze, thekson Haaland.

/Shqip.com