Ekonomi

Guvernatorja e Iowas, Reynolds diskuton me Odën Amerikane për bashkëpunimin ekonomik

Guvernatorja e shtetit të Iowas, Kim Reynolds, ka takuar Odën Ekonomike Amerikane në Kosovë, me qëllim të forcimit të lidhjeve ekonomike, eksplorimin e mundësive për investime dhe nxitjen e bashkëpunimit ndërmjet Iowa dhe Kosova.

Guvernatorja Reynolds u angazhua në diskutime konstruktive me përfaqësuesit e Odës Amerikane, duke prezantuar aspektet ekonomike të Iowas, veçanërisht në sektorët e prodhimit të përparuar, bujqësisë dhe teknologjisë.

Arian Zeka, drejtori ekzekutiv i Odës Amerikane, theksoi angazhimin e përbashkët për nxitjen e rritjes ekonomike, forcimin e partneriteteve dhe nxitjen e bashkëpunimit.

“Derisa shënojmë dhjetëvjetorin e partneritetit shtetëror ndërmjet Kosovës dhe Iowas, kjo vizitë ka një rëndësi të veçantë. Është një rast për kremtim, por edhe reflektim për të arriturat tona të deritanishme”, tha Zeka.

Reynolds përsëriti angazhimin e saj për të rritur shkëmbimin e njohurive dhe praktikave më të mira ndërmjet Iowas dhe Kosovës.

Ajo pranoi potencialin e konsiderueshëm për tregti dhe investimet dypalëshe, duke shprehur besimin në përfitimet reciproke që do të dalin nga bashkëpunimi i mëtejshëm.

“Ky ka qenë një udhëtim i shpejtë, por i mrekullueshëm në Kosovë. Jam e nderuar që jam këtu sot dhe do të vazhdoj partneritetin tonë edhe për 10 vite të tjera. Ne duhet të zgjerojmë marrëdhëniet tona me Kosovën. Iowa krenohet me një fuqi punëtore të kualifikuar dhe renditet e treta në vend. Ne kemi ulur katër herë tatimet dhe vazhdimisht kërkojmë mundësi për të mbështetur qytetarët tanë tatimpagues. Kjo ka qenë arritja jonë në katër vitet e fundit”, tha Reynolds.

/Shqip.com