Ekonomi

Guvernatori i BQK-së i kundërpërgjigjet Nurbojës pas akuzave të këtij të fundit

Banka Qendrore e Kosovës
Banka Qendrore e Kosovës

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti, ka dhënë sqarime në lidhje me deklarimet e anëtarit të Panelit përzgjedhës për Guvernator të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), njëkohësisht edhe anëtarit të Bordit të BQK-së, Nurboja, para Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere lidhur me integritetin dhe arsyetimet për mospërfshirjen në listën e emrave të kandidatëve për Guvernator, ani se pikët janë të njëjta.

Nga data 28 mars të vitit 2022, Bordi i BQK-së është njoftuar se për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore, kompetencat e Guvernatorit i janë deleguar Zëvendësguvernatori, e ku përjashtim bëjnë pjesëmarrja në mbledhjet e Bordit të BQK-së dhe Bordit Ekzekutiv, pjesëmarrjes në panelin për intervistimin e kandidatëve për zëvendësguvernator dhe ndonjë çështje që domosdoshmërisht kërkon praninë e Guvernatorit.

“Gjatë kohës që kam qenë në pushim mjekësor, një sigurues, i cili ka rezultuar në mungesë të kapitalit, ka plotësuar këtë mungesë me injektim të kapitalit dhe ushtruesi i detyrës të Guvernatorit ka lëshuar komunikatën lidhur me përputhshmërinë e sektorit të sigurimeve me kërkesat ligjore të BQK-së. Siç mund të shihet, kjo komunikatë nuk është lëshuar nga Bordi Ekzekutiv, pasi që në këtë kohë, për shkak të mungesës time në punë, nuk ka pasur takim të Bordit Ekzekutiv, për të cilën edhe mund të evidentohet lehtë”, ka thënë mes tjerash Guvernatori Mehmeti.

Megjithatë, kjo temë është diskutuar në takimet e Bordit të BQK-së, gjatë muajve prill, maj dhe qershor 2022 për të cilat anëtarët e Bordit të BQK-së janë informuar në detaje dhe kjo çështje është mbyllur, si diskutim.

Si pjesë e angazhimit në ruajtjen e likuiditetit të sektorit financiar në vend, janë revokuar licencat, si vullnetare ashtu edhe të detyrueshme, të trembëdhjetë institucioneve të ndryshme financiare, prej të cilave revokime më të rëndësishme ishin dy (2) sigurues, Insig dhe Kosova e Re; si dhe dy revokime/regjistrime për IMF/IFJB, përkatësisht IuteCredit dhe Monego.

Gjithashtu, BQK-ja ka arritur të fitoj rastin e iniciuar nga IuteCredit, e cila kishte paditur Kosovën në Arbitrazhin Ndërkombëtar. Siç është njoftuar publiku, Gjykata Ndërkombëtare e Arbitrazhit ka hedhur poshtë secilin pretendim të IuteCredit lidhur me ligjshmërinë e vendimit të Bordit Ekzekutiv të BQK-së, me çka ka vërtetuar se vendimet e BQK-së kanë qenë të drejta dhe sipas ligjeve në fuqi.

Sa i përket procesit të përzgjedhjes së kandidatëve për Guvernator, paneli intervistues ka renditur në pozitën e katërt, dy persona që kanë pikë të barabarta vlerësuese.

Madje, kandidati i renditur si e katërta nga paneli intervistues, nuk ka qenë dashur të ftohet fare në intervistë për shkak të kufizimeve ligjore të parapara me Ligjin për BQK-në.

Veprimet e panelit në raport me procesin e përzgjedhjes janë tendencioze dhe konflikt të hapur të interesit, ngase njëri nga kandidatët është i afërm në baza shoqërore me njërin nga anëtarët e panelit.

Institucionet po ashtu janë njoftuar nga edhe kryetari i panelit përzgjedhës Flamur Mrasori rreth dyshimeve se me veprimet e panelit, është shkelur një nga parimet bazë të Kushtetutës “Barazia para Ligjit” që është një nga parakushtet për funksionim të rendit dhe ligjit në çdo vend.

Dy anëtarët nga paneli gjatë procesit për përzgjedhjen e Guvernatorit, kanë bërë shkelje si në vijim: Nenin 23 (Dinjiteti i Njeriut) dhe 24 (Barazia para Ligjit) të Kushtetutës se Republikës së Kosovës; nenin 38 paragrafi 2 të Ligjit Nr.03/L-209 për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës; nenin 6 të Ligjit Nr. 06/L-011 për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në ushtrimin e funksionit publik.

Gjithashtu, përveç, shkeljeve të cekura më lartë, ekziston dyshimi i bazuar se anëtarët e panelit për përzgjedhjen e Guvernatorit kanë bërë edhe shkelje të Nenit 219 Cenimi i të drejtave të punësimit dhe papunësisë të Kodit Nr. 06/L-074 Penal të Republikës së Kosovës.

Ky nen përcakton se “Kushdo që ia mohon apo kufizon personave tjerë të drejtën në punësim në kushte të njëjta, ashtu siç është përcaktuar me ligj, dënohet me gjobë ose me burgim deri në dy (2) vjet”.

Përderisa, njëri nga anëtarët e panelit bëri shpifje kundër meje duke më cenuar integritetin, atëherë si është integriteti i këtij anëtari me gjithë këto shkelje të cekura më lartë.

Po ashtu, edhe Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës i dha të drejtë Vendimit të BQK-së (rasti Monego) duke konstatuar të drejtë Aktgjykimin e Gjykatës Supreme, i cili është në favor të BQK-së.

/Shqip.com