Lajme

Guerot dhe Rohde paralajmërojnë pasoja për Kosovën dhe Serbinë nëse s’e zbatojnë Aneksin

Ambasadorët e Francës dhe të Gjermanisë në Kosovë janë shprehur optimistë për “kahjen pozitive” që ka marrë dialogu Kosovë-Serbi pas dakordimit të arritur në Ohër më 18 mars, raporton Ekonomia Online.

Në diskutimin me temën “Propozimi evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, e organizuar nga Qendra Mediale në Çagllavicë, ambasadori francez në Prishtinë, Oliver Guerot, ka thënë se Kosova duhet të fillojë krijimin e Asociacionit, e se kjo është e qartë edhe në tekstin e Aneksit të Implementimit.

Ndërsa nga lideri i Serbisë pret që ai t’i respektojë obligimet që ka marrë dhe se në të kundërtën do të ketë pasoja për të dyja palët. Guerot ka thënë se pas një periudhe të gjatë, ky dialog ka marrë një kahje positive, e se nuk duhet të humbasë ky “momentum”.

Ai ka folur edhe për dakordimin e palëve në Bruksel më 27 shkurt për Planin evropian si dhe aneksin e zbatimit për të cilin palët u dakorduan në Ohër më 18 mars.

Të dy marrëveshjet janë një arritje e madhe dhe udhëheqësit ishin të suksesshme, pavarësisht se nuk u nënshkrua, marrëveshja është obliguese dhe detyruese për Kosovën e Serbinë dhe presim nga dy vendet që t’i zbatojnë ato. Do të ketë pasoja nëse nuk zbatohen dhe nuk përmbushet dinamika e përcaktuar”, është shprehur Guerot.

“Do të ketë pasoja nëse nuk zbatohen dhe nuk përmbushet dinamika e përcaktuar, prandaj do të përpiqemi t’iu themi se çfarë pasoja. Do të thosha se presim nga Qeveria që ta lëshojnë vendimin për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, ky është hapi i parë”.

Mendoj që kam qenë shumë i qartë. Presim nga Qeveria e Kosovës, siç ceket në Aneks që Kosova të fillojë negociatat në dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe të ofrojë garanci për të siguruar një nivel të vetëqeverisjes të komunave me shumicë serbe të Kosovës në pajtim me marrëveshjet dhe për ne teksti është i qartë që flet për krijim të Asociacionit”.

“Dhe unë s’e kam lirinë që t’i zbuloj sekretet këtu”, ka thënë Guerot.

E ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde ka thënë se Qeveria e Kosovës duhet t’i përmbushë obligimet e saja duke bërë hapa që ta themelojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

E kuptoj skepticizmin, por natyrisht ne jemi optimistë. Jam optimist sepse ka shumë presion politik. Alternativa tjetër është që rruga e mbyllur për BE për të dyja vendet. Të rinjtë po largohen dhe ne duhet të ndryshojmë këtë – e kjo bëhet nga vullneti politik për të ndryshuar”.

Kosova duhet t’i përmbush obligimet duke bërë hapa që ta themelojë asociacionin. Serbia duhet të pajtohet që Kosova është një fqinj që ka perspektive evropiane”.

Milica Rakiq Andriq, nga Nisma e Re Sociale, ka thënë se mesazhet që po dërgohen nga bashkësia ndërkombëtare sinjalizojnë se ndërmjetësuesit nuk janë të bindur se marrëveshja do të zbatohet shpejtë dhe me lehtësi.

Nuk ishte e mençur të shpallej aneksi deri të përkufizohej zbatimi i tij. E vështirë të parashihet se çka do të ndodhë. Çështje shumë e vështirë dhe negociata të vështira, dhe nuk e shoh problem që ato të jenë sekrete. Por në terren gjërat realizohen me vështirësi. Veriut nuk i është kumtuar rezultati i dialogut”, ka theksuar ajo.

Sipas saj tensionet nuk ka zbutje të tensioneve në terren dhe deklaratat e zyrtarëve nuk janë premtuese.

Ndërsa drejtori i KIPRED-it, Lulzim Peci, është shprehur skeptik së marrëveshja do të mund të zbatohet.

Kemi mbetur prapa dhe kemi arritur deri aty saqë në situata të caktuara ta rrezikojmë edhe sigurinë rajonale, këtu i referohem raportit Kosovë-Serbi. Kurti e Vuçiqi kanë qëllime të kundërta dhe duan të humbin kohë. Kjo më bënë skeptik se do të zbatohet marrëveshja. Edhe nëse zbatohet shija politike do të jetë e rëndë që marrëveshja të zbatohet në tërësi”, ka theksuar Peci.

Ai ka thënë se duhet kalim i hapit të madh drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve.

Nëse mendojmë që në këtë formë siç jemi tani mund të ecin, do të jetë e vështirë. Kam qenë më optimist. Sa i përket rolit ndërmjetësues të BE-së mendoj se aneksi nuk është sa duhet i qartë dhe kjo po i jep hapësirë keqinterpretimeve të marrëveshjes së arritur në Bruksel dhe pastaj asaj në Ohër. Kam frikë se si është duke shkuar mund të reflektohet edhe në rritjen e tensioneve etnike sepse dy popujt i kanë pritjet e veta nga dialogu. Nëse këto pritje nuk e kanë një emërues të përbashkët të jetës paqësore në këtë vend, kjo marrëveshje ka mundësi të na kthehet bumerang dhe të prodhojë konflikte”, ka theksuar Peci.

/Shqip.com