Lajme

Gucati e Haradinaj nuk marrin pjesë në seancën përgatitore

Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj

Dy ish-krerët e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, nuk kanë marrë pjesë të mërkurën në seancën e parë përgatitore të Dhomave të Specializuara të Gjykatës Speciale në Hagë.

Kryetari i trupit gjykues tha se dy të lartpërmendurit kanë hequr dorë nga të qenit të pranishëm.

Në seancë, fillimisht është diskutuar çështja e pjesëmarrjes së dëshmitarëve të zgjedhur nga Prokuroria e Specializuar në procesin gjyqësor.

Lidhur me këtë, mbrojtja e Gucatit dhe Haradinajt, ka kërkuar që prokuroria t’i publikojë emrat e dëshmitarëve që ka zgjedhur për t’i dëgjuar, derisa prokuroria përmes një parashtrese, është shprehur se nxjerrja e emrave të tyre, “do mund t’i rrezikonte”.

Lexo edhe:
Caktohet seanca e radhës ndaj Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt

Hysni Gucati e Nasim Haradinaj akuzohen për ndërhyrje në drejtësi, saktësisht për frikësim të dëshmitarëve  për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Ata janë arrestuar më 25 shtator nga forcat e EULEX-it me urdhër të Gjykatës Speciale./SHQIP.com