Sport Ndërkombëtar

Guardiola kërkon “Lojtarin e ëndrrave”, kushton 100 milionë euro

Një dhuratë 100 milionë euro, kjo është dëshira e radhës e Pep Guardiolas që pritet të bëhet realitet. Josko Gvardiol, qendërmbrojtësi kroat, është vetëm një hap larg transferimit te Man.City, një blerje rekord që do të thyejë në këtë verë. “Lojtari i ëndrrave” i Guardiolas, kështu e përkufizojnë mediat, ka dhënë bekimin e tij për t’u transferuar në Premier League, nuk ka më asnjë pengesë në këtë pikë, pritet vetëm që Manhester City të paguajë këtë shifër të çmendur për ta liruar nga Leipzig.

Ka qenë vetë drejtori sporti i klubit gjerman, Max Eberl, që konfirmoi një lëvizje të tillë: “Gvardiol dhe agjentët e tij na bënë me dije dëshirën e lojtarit për t’u transferuar te Man. City”.

Nuk mbetet gjë tjetër vetëm që City tani të derdhë në arkat e Leipzig, 100 milionë euro, plus bonuse. Gvardiol do të bëhet në këtë mënyrë mbrojtësi më i shtrenjtë në historinë e afatit kalimtar duke zbritur nga froni Harry Maguire, lojtar për të cilin Man.United pagoi 87 milionë euro për ta marrë nga Leicester.

/Shqip.com