Sport Ndërkombëtar

Guardiola afër edicionit perfekt, flet edhe për Barcelonën

Pep Guardiola nuk mundi t’i përmbante lotët pas suksesit në FA Cup. Spanjolli tani hedh sytë nga Champions League, trofe që do ta bënte perfekt sezonin.

“Tani, po, mund të flasim për ‘tripletën’. Sigurisht që ne kemi shanse të mira të fitojmë Championsin. Kemi bërë shumë mirë për qytetin tonë dhe tifozët tanë. Nuk e prisnim që ata të mbroheshin kaq ngushtë. Gjetëm më shumë hapësira në pjesën e dytë”, ka thënë tekniku katalonas.

Tani vëmendja e Guardiolës është tek Interi, pengesa e fundit në një rrugëtim që deri tani ka rezultuar fantastik.

“Nesër futbollistët mund të pushojnë. Ne kemi tri ose katër seanca për t’u stërvitur për Interin. Do të udhëtojmë të enjten në mëngjes pas stërvitjes. Ishte shumë e rëndësishme për ne sot. FA Cup është shumë e bukur”.

Guardiola, një futbollist dhe trajner i formuar te Barcelona, tregon gjithashtu dashurinë për Cityn.

“Unë jam një tifoz i Barcelonës, por do ta dua këtë klub për pjesën tjetër të jetës sime. E di që sot u kemi bërë tifozëve tanë një dhuratë të bukur”.

Ai ka folur edhe për kapitenin Ilkay Gundogan. “Çfarë sezoni ka zhvilluar. Aftësitë i ka të padiskutueshme, por ka edhe mentalitetin. Ai i luan ndeshjet e mëdha sikur të ishin miqësore, mund ta përballojë presionin”.

/Shqip.com